William Shakespeare
"Antoni dhe Kleopatra"
Kushtuar Safetit dhe Xhelalit
AKTI IV
SKENA E TREMBËDHJETË
I njëjti vend. Një mauzole.
(Hyjnë lart KLEOPATRA, KARMIANA dhe IRA)
KLEOPATRA
Karmianë! Kurrë s'do të dal këtej!
KARMIANA
Ti qetësohu, zonjë e shtrenjtë!
KLEOPATRA
S'mundem.
Çdo tmerr e mirëpres dhe ngushëllimin
Përbuz. Se masë e brengës sime është 4
Në përpjesëtim me hallin, po aq e madhe,
Sa ai që e shkakton.
(Hyn që poshtë DIOMEDI)
Hë, ç'kemi? Vdiq?
DIOMEDI
Mbi të rri vdekja, por s'ka vdekur. Shih
Matanë monumentit! Rojet tona 8
Atje e sollën.
(Hyn ANTONI, të cilin e sjellin rojet)
KLEOPATRA
Digj ti, o diell, sferën
E madhe ku lëviz. Ti, yll i tokës,
Që shpesh ndryshon, i zi qëndro! Anton!
Anton! Anton! Oh, ndihmë, Ira, ndihmë, 12
Karmiana! Ndihmoni, o miq përposh!
Ta sjellim lart!
ANTONI
Hesht! S'është, jo, Cezari
Që e rrëzoi Antonin, është vetë
Antoni që e mundi veten!
KLEOPATRA
Ndryshe 16
S'ka si të jetë. Veç Antoni duhet
Ta mundë Antonin! Vaj-medet për mua!
ANTONI
Po vdes, Egjipt, po vdes! Por vdekjes ndal
I them gjersa në buzt' e tua të ngjis 20
Nga mijra puthje një, të fundmen!
KLEOPATRA
Falmë,
Imzot i shtrenjtë! S'guxoj të zbres, më kapin.
Të zbukuroj s'dua triumfin e Cezarit
Fatlum! Sa thikat, barnat, gjarpërinjtë 24
Të kenë teh, efekt e helm, s'kam frikë!
Oktavia, gruaja jote, sytë e turpshëm
Dhe depërtues s'do t'ketë nderin kurrë
Mbi mua që t'i hedhë. Oh, eja, Anton! 28
Më ndihni, gra, ta ngjitim lart! Ndihmoni
Dhe ju, o miq!
ANTONI
Oh, shpejt se po mbaroj!
KLEOPATRA
Kjo është punë! Sa i rëndë je,
Imzot! Krejt forcën mori hidhërimi, 32
Prandaj i rëndë dukesh. Po të kisha
Fuqinë e Junonës s'madhe, sipër
Merkurit krahëfortë të kisha vënë,
Të shpija pranë Jupiterit! Eja! 36
Dhe pak! Kush dëshiron gjithnjë i marrë
Ka qenë! Oh, oh! Eja, eja, eja!
(E ngrenë ANTONIN lart tek KLEOPATRA)
Dhe mirëserdhe! Vdis atje ku rrojte!
Të ngjallshin puthjet! Buzt' e mia të kishin 40
Të tillë forcë, krejt i paç harxhuar!
TË GJITHË
Medet, ç'po shohim!
ANTONI
O Egjipt, po vdes!
Po vdes! Më jep pak verë. Dua të them
Dy fjalë!
KLEOPATRA
Jo, më lër të flas! Më lër 44
Të shaj me zë të lartë, aq sa Fati
I ve të thyejë qafën!
ANTONI
Veç një fjalë,
E shtrenjtë! I kërko Cezarit nderin
Dhe jetën tënde! Oh!
KLEOPATRA
Të dyja s'shkojnë! 48
ANTONI
Fisnike, më dëgjo! Nga të Cezarit
Beso veç Prokuleun.
KLEOPATRA
Veç duart e mia
Besoj, asnjë nga miqtë e Cezarit!
ANTONI
Mos qaj, as mos u dëshpëro për fundin
E hidhur që tani më vjen. Mendimin
Dëfreje duke e ushqyer me ditët
Fatlume, që i pata jetuar si princi
M'i madh e më fisnik i botës. As 56
Tani s'vdes pa lavdi. Helmetën heq
Me nder përpara bashkëqytetarëve:
Një trim romak u mund po nga romaku!
Ja, po më shuhet fryma. S'mundem më! 60
KLEOPATRA
O burri më fisnik! Si? Ti po vdes?
Mua ku më le? Të rri në këtë botë
Të poshtër, që si thark pa ty do t'duket?
Oh! Shihni, gra!
(ANTONI vdes)
U tret kurorë e botës! 64
Imzot! U vyshk dafin' e luftës, kulmi
I trimërisë u shemb! Çunakë e çupa
Me burra ç'na u barazuan: ndryshimi
U zhduk dhe s'mbet' asgjë që vlen nën hënë! 68
(I bie të fikët)
KARMIANA
Oh, zonjë, qetësohu!
IRA
Vdiq dhe ajo,
Mbretëresha jonë!
KARMIANA
Zonjë!
IRA
Mbretëreshë!
KARMIANA
O zonjë, zonjë, zonjë!
IRA
Mbretëreshë
E madhe e Egjiptit!
KARMIANA
Hesht, hesht, Ira! 72
KLEOPATRA
Aspak më shumë se një grua që ndjenjë
E mjer' e ka pushtuar, porsi fshatarka
Që mjel dhe pret kujdes prej cilitdo.
Të mundja skeptrin perëndive mizorë 76
T'ua përplasja e t'u thoshja se
Ish bota jonë baraz me të tyren
Pa na e vjedhur ne diamantin! Por
Çdo gjë kot është: marrëzi - durimi 80
E qen i marrë është padurimi.
Mëkat vallë është vdekjes në shtëpi
T'i futesh para se të vijë vetë?
Gra, ç'keni? Ç'ke, Karmianë? Kokën lart, 84
Fisnike! Drita jonë u shua, u fik!
Kurajo, zotërinj! Le ta varrosim!
Pastaj fisnik e trim kush është, pas
Mënyrës s'lartë romake të veprojë! 88
Le të krenohet vdekja kur t'na marrë!
Lëvozhg' e shpirtit t'madh u ngri. Të shkojmë!
Oh, vajza, eni! Më asnjë mik s'mbeti,
Por do të vdesim trimërisht, pa frikë!
(Dalin. Ata që janë lart nxjerrin trupin e Antonit)
William Shakespeare
"Antoni dhe Kleopatra" Shqipëroi Çezar Kurti.Copyright©1990 by Translator.